TIRANË - Kryeqyteti shqiptar është kthyer sot në një qendër të kulturës automobilistike retro me zhvillimin e aktivitetit “Tirana Grand Prix - Warm Up”, një event i organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor. Aktiviteti nisi në Sheshin 'Nënë Tereza' nga ora 16:00 dhe do të zgjasë deri në orën 20:00, teksa do të jetë i hapur për publikun.
'Tirana Grand Prix - Warm Up' shërben si gara preliminare e Tirana Grand Prix 2026 dhe i dedikohet automjeteve historike, kulturës automobilistike dhe promovimit të trashëgimisë së automobilizmit. Nisma “Tirana Grand Prix”, e cila nisi në vitin 2023, ka sjellë një dimension të ri në jetën publike të kryeqytetit duke afruar qytetarët me historinë, elegancën dhe zhvillimin e automjeteve ndër vite.